Fillon renovimi i Gjykatės komunale tė Gjakovės
Më 6 shtator, Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë filloi renovimin e Gjykatës komunale të Gjakovës që është edhe gjykata e shtatë që përfiton nga fillimi i nismës së renovimeve në vitin 2009. Renovimi i gjykatës pritet të vazhdoj nga muaji shtator deri në muajin nëntor të vitit 2010.
Në shtator të vitit 2009, Programi për Mbështetjen e Drejtësisë inauguroi Gjykatën komunale të Ferizajit si gjykatën e parë Model në Kosovë. Përgjatë vitit 2010, renovimet kanë transformuar gjykatat në Pejë, Skenderaj, Prizren, Gjilan, Kamenicë dhe Gjykatën Ekonomike në Prishtinë. Renovimi i gjykatës së Gjakovës, që përfshinë edhe Gjykatën për kundërvajtje të Gjakovës, do të bartë të njëjtat standarde të larta të arritura në gjykatat e tjera. Renovimet kanë për synim të lehtësojnë qasjen e publikut dhe të rrisin transparencën në veprimet e gjykatës, si dhe për të krijuar sisteme qëndrore për menaxhimin e lëndëve dhe ato të arkivimit për përmirësimin e efikasitetit në rrjedhën e punës. Renovimet e gjykatave në mbarë vendin kanë ruajtur në mënyrë uniforme standardin e lartë mbi përdorimin e materialit cilësor si dhe mjeshtërisë së detajuar brenda afateve të shkurtra kohore, duke ju mundësuar gjykatave të punojnë gjatë kohës së punës renovuese. Standardet e dizajnit të Gjykatave modele janë miratuar nga Këshilli gjyqësor i Kosovës dhe janë të vendosura në Standardet e dizajnimit për Republikën e Kosovës të KGJK-së, të prodhuara nga USAID-i në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit gjyqësor të Kosovës.
Përmes renovimeve të Gjykatave Model, tavolinat e zyrës së pranimit, kabinat e informacionit dhe ulëset në hapësirat publike krijojnë një ambient më të ngrohtë për qytetarët. Dritaret dhe zyrat e regjistrimit të hapura janë krijuar asisoj që të lehtësojnë shërbimin ndaj klientit dhe transparencën. Renovimet kanë mundësuar krijimin e sallave shtesë të gjykimit për të mundësuar seancat publike. Tabelat publike me njoftimet për seanca tani informojnë publikun mbi orarin e seancave. Përpos kësaj, gjykatat janë pajisur me mjetet e nevojshme për një punë efikase, siç janë sistemet e përshtatura për vendosjen e lëndëve dhe sisteme të raftimit të arkivës, makina automatike për vulosje si dhe mbështjellës modern të shkresave të lëndës.
Renovimi i Gjykatës komunale të Gjakovës dhe i gjykatave të tjera është mundësuar përmes investimit 3 milion dollarësh nga USAID-i për përmirësimin e ndërtesave të gjykatave të Kosovës. Kjo nismë e investimeve kapitale shoqërohet me ndihmë afatgjatë teknike dhe trajnim për të ngritur efektivitetin dhe efikasitetin e institucioneve gjyqësore në Kosovë. Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë është një program me kohëzgjatje prej tre vjet e gjysmë që implementohet nga Qendra Kombëtarë për Gjykata Shtetërore.