Ministria e Drejtėsisė nėnshkruan Memorandumin e Mirėkuptimit pėr themelimin e noterive
Më 23 shtator 2010, USAID-i mbështeti nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Institut des Hautes Etudes Notariales – Instituti për Studime të Larta të Noterisë (IHN) lidhur me themelimin e profesionit të noterisë në Kosovë. Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Samuel Waelty si dhe Donna Stauffer, drejtoreshë e USAID-it për çështje EuroAziatike ishin si dëshmitarë të nënshkrimit të Memorandumit ndërmjet përfaqësuesve Roland Niklaus dhe Ministrit të Drejtësisë, Haki Demolli, në praninë e mediave kryesore të vendit.
Pas nënshkrimit të Memorandumit dhe fjalimeve, Ministri i Drejtësisë Z. Demolli si dhe Eksperti për Noterinë nga IHN, Michel Merlotti, iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur me përzgjedhjen e notarëve dhe procesin e emërimeve, afatin kohor për themelimin e sistemit të noterisë si dhe përfitimet që ofron sistemi lidhur me efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Nënshkrimi publik i Memorandumit është hapi i parë në informimin e profesionistëve ligjorë dhe publikut mbi sistemin e noterisë. Në të ardhmen e afërt noteritë do të jenë përgjegjëse për procedurat e vërtetimit të dokumenteve dhe veprimet administrative të cilat më parë janë zhvilluar nga gjykatat. Noteritë poashtu do të jenë përgjegjëse për përpilimin e bartjes së pronësisë së pronës së luajtshme dhe të paluajtshme sikurse edhe dokumenteve të trashëgimisë.
Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve juridike dhe forcimi i sektorit të institucioneve të drejtësisë që u shërbejnë nevojave të qytetarëve janë synime kyçe të USAID-it në Kosovë. Që nga viti 2008 Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë ka punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët nga Zvicra për të ndihmuar në themelimin e profesionit të noterisë si dhe për të mundësuar transferimin e funksioneve jo-gjyqësore nga gjykatat tek profesionistët e pavarur puna e të cilëve do t’u mundësojë gjykatave të fokusohen në lëndët penale, civile dhe ekonomike.
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me partnerët nga Zvicra dhe SHBA-të ka punuar në themelimin e një kornizë rregullative për sistemin noterial ashtu që të sigurohet se profesioni i ri është mirë i rregulluar, transparent dhe llogaridhënës. USAID-i ka ofruar ndihmë teknikë në hartimin e legjislacionit sekondar duke specifikuar funksionet e Odës së Notarëve si dhe procedurat për përzgjedhjen e notarëve, emërimin dhe disiplinën.
Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë është program me kohëzgjatje prej vite e gjysmë dhe implementohet nga Qendra Kombëtarë për Gjykata Shtetërore.
Në foto (nga e majta): Donna Stauffer, USAID; Roland Niklaus, Institituti për Studime të Larta të Noterisë; Haki Demolli, Ministria e Drejtësisë; Samuel Waelty, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim.