Inaugurohet Gjykata komunale e Kamenicės
Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë në Kosovë inauguroi ndërtesën e renovuar të Gjykatës komunale të Kamenicës, e cila është një ndër tetë gjykatat e renovuara brenda pak më shumë se një viti përmes Iniciativës së gjykatave model të Kosovës. Gjykata komunale e Kamenicës, e cila ju bashkua Konzorciumit të Gjykatave model të Kosovës në prill të vitit 2009, tashmë është një ndër gjykatat më të hapura, më të qasshme dhe e pajisur më së miri në Evropën jug-lindore.
Drejtoresha e misionit të USAID-it, Patricia Rader, ju bashkua liderëve të gjyqësorit të kombësisë shqiptare dhe minoritare në festën e renovimit të kësaj ndërtese.
Kryetari i gjykatës, Hevzi Murseli, në këtë ngjarje u shpreh “Falënderimet e mia më të sinqerta për USAID-in dhe popullin amerikan për mbështetjen e ofruar për ne që të krijojmë një mjedis funksional në një ndërtesë gjykate që është mikëpritëse për të gjithë qytetarët.”
Drejtoresha e misionit të USAID-it nënvizoi që freskimi i sistemit të gjyqësorit është duke u ndjerë në tërë Kosovën, njësoj si në Kamenicë. “Gjyqtarët dhe stafi i gjykatës tashmë janë në një pozitë unike për t’i hapur rrugën një ere të re në Kosovë, që i dedikohet shërbimit karshi nevojave të qytetarit,” u shpreh Rader.
Gjykata komunale e Kamenicës si dhe Gjykatat model nëpër qytete të ndryshme të Kosovës kanë kushte ideale për punë efikase, duke përfshirë zyret për menaxhimin qëndror të lëndëve dhe mekanizmin për përcjellje të saktë të rrjedhës së lëndëve. Për të siguruar që dëgjimet publike nëpër gjykata janë të hapura dhe transparente, Programi për Mbështetjen e Drejtësisë ka ri-dizajnuar 18 salla të gjykimit në Gjykatat model anë e kënd Kosovës.
Përmes mbështetjes teknike, trajnimeve dhe renovimit të objekteve përmes Iniciativës së gjykatave model, Programi për Mbështetjen e Drejtësisë ka arritur të transformoj gjykatat nga institucione të njëtrajtshme dhe joefikase në institucione që kanë ngritur pritjet e qytetarëve për shërbime juridike transparente dhe me qasje më të lehtë.
Kryetari i Gjykatës supreme, Fejzullah Hasani, i cili filloi karrierën e tij në vendlindjen e vet në Kamenicë, nënvizoi që renovimi i ndërtesave të gjykatave tregon që drejtësia është rruga e së ardhmes. “Përmes ofrimit të drejtësisë me kohë dhe në mënyrë të drejtë, ne do të bindim qytetarët dhe botën se vështirësitë e djeshme janë e kaluar e kohës.”
Për më shumë foto nga kjo ngjarje ju lutemi vizitoni galerinë e fotografive në këtë lidhje!