usaid logo usaid logo

Ekipi i Gjykatave model reflekton pėr punėn njė-vjeēare

Në dhjetor të vitit 2010, NCSC/ekipi i Gjykatave model të Kosovës shënoj një-vjetorin e fitimit të Çmimit për arritje Robert W.Tobin për punë të shkëlqyeshme në fushën e administrimit të gjykatave. Çmimi Robert W. Tobin nga NCSC, jepet çdo vit për projektin apo produktin që është shëmbulltyrë e motos së NCSC-së: Lidership i besueshëm, zgjidhje të provuara, gjykata më të mira.

NCSC përmes këtij çmimi shpërbleu ekipin kosovarë për punën e bërë për të përmirësuar sistemin e gjykatave në Kosovë, nga koha kur ka nisur implementimi i Programit të gjykatave model. Suksesi i Gjykatave model i ka mundësuar sistemit gjyqësor në Kosovë të mbyllë faqen e sfidave të së kaluarës, të përmirësoj kualitetin e shërbimeve të gjykatave dhe të modeloj praktikat më të mira për përmirësim të punës në fushën e administrimit të gjyqësorit.

Sukseset më të dukshme nga iniciativa e Gjykatave model janë ndërtesat e renovuara të Gjykatave model. Këto renovime kanë rezultuar në përmirësim të qasjes në gjykata, përmirësim të efikasitetit të punës së gjykatave, dhe është shtuar numri i sallave të gjykimeve ku mund të mbahen seanca të hapura për publikun. Tetë ndërtesa të gjykatave janë transformuar (2 projekte renovuese do të përfundohen brenda disa muajve të ardhshëm). Në total, 18 salla të reja të gjykimit u janë shtuar gjykatave të renovuara.

Suksesi i Programit për Gjykata model vihet në dukje poashtu kur analizohet aspekti i përmirësimit të kualitetit të shërbimeve nëpër gjykata. Asistimi teknik, trajnimi dhe mbikëqyrja e ofruar, ka ndihmuar në transformimin e mënyrës se si gjykatat u shërbejnë qytetarëve dhe në atë se si përfaqësohen ato para qytetarëve që ju shërbejnë.

Ekipi i NCSC-së për ndërlidhje me Gjykatat model përbëhet nga z. Enver Fejzullahu; z. Gazmend Mejzini; znj. Florije Manaj-Zogaj dhe z. Albert Avdiu. Personat ndërlidhës me Gjykatat model në Kosovë janë ekspertë të shquar në fushën e administrimit të gjykatave dhe kryejnë rolin e Sekretariatit të Konzorciumit të Gjykatave model. Konzorciumi është takuar rregullisht gjatë tri viteve të fundit për të shkëmbyer përvoja dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në punën e tyre për të implementuar reformat e parapara përmes nëntë standarteve kryesore. Ndërlidhësit me Gjykatat model punojnë individualisht me udhëheqësinë dhe stafin e gjykatave për të implementuar reformat, të arritur standartet, të analizuar problemet dhe identifikuar zgjidhje për probleme që mund të implementohen në të gjitha gjykatat.



Implementimi i standarteve ndërkombëtare po ndihmon gjyqësorin e Kosovës të arrijë objektivat e caktuara në Planin afat-gjatë strategjik dhe strategjinë afat-shkurtër për reduktimin e numrit të lëndëve të grumbulluara, si rrjedhojë e trashëgimit të tyre nga sistemi tranzicional që ka funksionuar pas konfliktit të vitit 1999. Brenda më pak se një muaji nga koha kur janë plotësuar vendet e lira të gjyqtarëve pas procesit të hulumtimit dhe emërimit të tyre, rezultatet tashmë janë shumë të dukshme. Praktikat më të mira të Gjykatave model po i hapin rrugë një sistemi gjyqësor më të hapur dhe më efektiv në Kosovë.

Iniciativa e Gjykatave model mbështetet financiarisht përmes USAID-it, nga populli amerikan. Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë në Kosovë është një program tre-vjeç e gjysmë dhe ka për qëllim të forcoj institucionet vartëse të sistemit gjyqësor në Kosovë dhe të ndihmoj në përmirësimin e qasjes, respektit dhe kërkesës për drejtësi për dhe nga qytetari.