Inaugurohet gjykata e tetė model nė Gjakovė
Programi i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë përuroi Gjykatën Komunale në Gjakovës, një gjykatë e sapo rinovuar e që është gjykata e tetë e rinovuar brenda periudhës tetëmbëdhjetë mujore në kuadër të iniciativës së programit të USAID-it për Gjykata Model. Për të festuar arritjet e institucioneve të drejtësisë në Gjakovë, udhëheqëseve të sapoemëruara femra të Gjykatës Komunale, Gjykatës Komunale për Kundërvajtje dhe të Prokurorisë Komunale iu bashkuan drejtoresha e misionit të USAID-it, Patricia Rader dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Z. Enver Peci.
Gjatë fjalës së tij drejtuar udhëheqësve të sektorit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të komunitetit të Gjakovës, Kryesuesi i KGJK, Z. Peci theksoi se gjyqësori i ri dhe i sapoemëruar tashmë po demonstron përkushtimin e vet ndaj reformave përmes miratimit dhe zbatimit të Strategjisë Shtetërore për Zvogëlimin e Lëndëve të Grumbulluara dhe Doracakut për Menaxhimin e Gjykatave dhe Procedurat e Veprimit. “Ndryshimet në ligje, ndërtesa dhe në njerëz në gjithë gjyqësorin e Kosovës po mundësojnë një epokë të re… të karakterizuar me qasje, transparencë dhe llogaridhënie.”
Kryetarja e Gjykatës Komunale, Afijete Sada-Gllogjani, ceku se me anë të rinovimeve “gjykata nuk është më një vend i sekreteve të errëta por një vend mikpritës dhe i hapur ku qytetarëve u ndahet drejtësia e merituar, një virtyt ky themeltar që u mundëson qytetarëve të jetojnë në harmoni dhe paqe me njëri-tjetrin.”
Drejtoresha e Misionit të USAID-it e cila ceremonisë së përurimit iu bashkua pas vizitës së saj në një shkollë fillore ku nxënësit e klasës së tretë paraqitën një seancë gjykimi të simuluar, përgëzoi Kryetaren e Gjykatës dhe stafin e saj për arritjet e tyre në kuadër të standardeve të performansës së Gjykatave Model dhe përpjekjet e tyre në përmirësimin e informimit të publikut dhe qasjes më të lehtë të të gjithë qytetarëve në gjykata. “Transparenca ndërton besimin” shtoi ajo, “dhe ky besim do të kthehet në respekt për sistemin e drejtësisë. Programi i Gjykatave Model i mundëson qytetarëve të ndajnë përgjegjësinë për sundimin e ligji.”
Gjykata Komunale në Gjakovë dhe gjykatat e tjera modele në mbarë vendin tani janë të pajisura me kushtet ideale për efikasitet, përfshirë zyrat për menaxhim qendror të lëndëve dhe mekanizmat për përcjellje të automatizuar të lëndëve. Për t’u siguruar se seancat publike janë të hapura dhe transparente, Programi për Mbështetjen e Drejtësisë ka ri-projektuar Gjykatat Modele në krijimin dhe mobilimin e 21 sallave shtesë të gjykimit në sistemin e gjykatave.
Përmes ndihmës teknike, trajnimit dhe rinovimin të ndërtesës në kuadër të nismës së Gjykatave Model, Programi për Mbështetjen e Drejtësisë ka transformuar gjykatat nga institucione të izoluara dhe joefikase në institucione të cilat kanë ngritur pritjet e qytetarëve për shërbime të drejtësisë që janë të qasshme dhe transparente.
Kryesuesi i KGJK, Z. Peci, poashtu edhe anëtar themelues i Konsorciumit të Gjykatave Model, reflektoi duke thënë se “është shenjë e së ardhmes që udhëheqësit e rinj të Gjykatës Komunale dhe Gjykatës për Kundërvajtje filluan ditën e parë të tyre të punës saktësisht në Ditën Evropiane të Drejtësisë.” Dhe këto fjalë të tij kanë kumbuar plot të vërtetë derisa nikoqirja dhe mysafirët vijuan në prerjen e shiritit në prani të dhjetëra nxënësve të shkollave të mesme dhe mësuesve të tyre.
Në këtë lidhje, mund të shihni më shumë fotografi nga ceremonia inauguruese!