usaid logo usaid logo

Programi i USAID-it pėr mbėshtetjen e drejtėsisė promovon arritjet e sistemit gjyqėsor

Motoja “Drejtësia në lëvizje” i është përshtatur më së miri projektit të fundit të Programit të USAID-it për mbështetjen e drejtësisë në Kosovë. Ky projekt ka të bëjë me realizimin e një dokumentari televiziv, të ndarë në tri pjesë, që përmbledhë disa nga të arriturat që janë shënuar në sistemin e gjyqësorit dhe prokurorisë në Kosovë.

Pjesa e parë e dokumentarit ofron një pasqyrë përmbledhëse të aktiviteteve të Konzorciumit të Gjykatave model të Kosovës. Ky trup organizativ, në tri vitet e fundit, ka realizuar një projekt shumë frytëdhënës në dhjetë gjykata të Kosovës, përmes Programit të Gjykatave model. Dokumentari paraqet për publikun investimet e shumta që janë bërë në fushën e krijimit të legjislacionit të ri, riorganizimit të administratës së gjykatave dhe investimet kapitale që janë bërë në infrastrukturën e gjykatave për punë më efikase të stafit të tyre dhe për qasje më të lehtë për publikun në këto institucione të rëndësishme të vendit.

Puna e zellshme dhe profesionale e Institutit gjyqësor të Kosovës, si dhe angazhimi i Komisionit të pavarur gjyqësor dhe prokurorial në fushën e emërimit dhe ri-emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë përmbledhur në pjesën e dytë të këtij dokumentari televiziv. Këto dy institucione janë përgjegjësit kryesor për freskimin e fytyrës së gjyqësorit dhe prokurorisë me gjyqtarë e prokurorë të rinj, të cilët kanë marrë mbi supet e tyre barrën e transfromimit pozitiv të gjyqësorit në vend.



Pjesa përmbyllëse e dokumentarit televiziv paraqet për publikun ndryshimin rrënjësor të qasjes së gjyqësorit karshi publikut, si dhe ngritjen e transparencës për punën e gjykatave. Kjo pjesë poashtu fokusohet në mundësitë reale që shoqëria civile ka për të kontribuar në transformimin e sistemit gjyqësor në vend, si dhe në shanset që studentët kosovarë kanë për t’u angazhuar në këtë sistem pas diplomimit të tyre.

Në të tri pjesët e dokumentarit, mendimet e tyre i kanë shprehur personalitetet kyçe të sistemit gjyqësor e prokurorial në vend, profesionistë të fushave përkatëse të punës në gjykata dhe avokaturë, individë të shquar nga shoqëria civile që përcjellin rrjedhën e punës së sistemit gjyqësor, dhe studentë që kanë për synim të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë në këtë sistem.

Pjesa e parë e dokumentarit do të transmetohet në Televizionin publik të Kosovës, ditën e enjte më 27 janar 2011, për të pasuar me transmetimin e pjesës së dytë më 3 shkurt 2011 dhe pjesës së tretë më 10 shkurt 2011 në të njëjtim medium. I njëjti dokumentar do të pasoj transmetimet e veta pas muajit shkurt nëpër televizione lokale anë e kënd Kosovës. Poashtu, i njëjti do të jetë në dispozicion të shikuesve në web-faqën tonë, nën këtë lidhje.

Dokumentari është realizuar falë mbështetjes financiare të USAID-it, nga populli amerikan, kurse Entermedia është kompania që ka bërë realizimin teknik të tij.