usaid logo usaid logo

Gjykatat e Mitrovicės vizitojnė Gjykatėn Model tė Skenderajt

Me datën 14 dhe 15 shkurt nëpunësit e Gjykatës së qarkut dhe asaj komunale të Mitrovicës kanë vizituar Gjykatën komunale në Skenderaj. Kjo vizitë u zhvillua pas përfundimit të trajnimit për aftësitë komunikuese për nëpunësit e gjykatave të Mitrovicës, si shkëmbim i përvojave në mes të gjykatave në kontekst të programit të gjykatave model.



Në prezencë të Kryetarit të Gjykatës së qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi, Kryetarit të Gjykatës komunale së Mitrovicës, Ramë Hyseni, Kryetares së Gjykatës për kundërvajtje të Mitrovicës, Nurije Shala, si dhe gjyqtarët dhe administratorët e këtyre gjykatave, Kryetari i Gjykatës komunale në Skenderaj, Isa Shala i mirëpriti vizitorët me një fjalim të shkurtër, në sallën e rinovuar të gjykimit. Ai ndër të tjera ndau informacionin se si kjo gjykatë ishte përzgjedhur si Gjykatë Model, se si gjykata është rinovuar nga ky projekt dhe procedurat e reja që po zbatohen nga kjo gjykatë në pajtim të plotë me Doracakun për menaxhimin e gjykatave dhe procedurat e veprimit, i cili u miratua nga Këshilli gjyqësor i Kosovës në prill të vitit të kaluar.

Pas Kryetarit, fjalën e mori Kryetari i Gjykatës së qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi. Ai falënderoi Kryetarin Shala për mikpritjen dhe gatishmërinë për t’i ndarë me ta praktikat me të mira të menaxhimit të gjykatës.

Pastaj vizitorët kishin mundësi që në mënyre praktike të shikonin se si po zbatohet Doracaku, duke filluar nga pranimi i dokumenteve me vulë automatike, menaxhimi dhe mbajtja e lëndës në mbështjellëset e rinj të lëndëve, si dhe kontrollimi i rrjedhjes së lëndëve përmes indeks kartelave. Të gjitha këto informacione atyre iu dhanë nga Shefi i Zyrës qendrore, Halit Ngucati, si dhe nga referentët e nëpunësit tjerë të kësaj gjykate.



Udhëheqësit e të tri gjykatave të Mitrovicës ishin mjaft falënderues për organizmin e kësaj vizite dhe për mirëpritjen që iu bë atyre. Ata theksuan se kanë përfituar nga kjo vizitë, dhe në të ardhmen mirëpresin shkëmbime të dyanshme vizitash të tilla. Zëvendës Shefja e Projektit të USAID-it për mbështetjen e drejtësisë, Violaine Autheman, komentoi se me këtë vizitë Programi i gjykatave model fillon një seri të partneriteteve në mes të gjykatave, përmes të cilave do të promovohet reformat në administrimin e gjykatave dhe do të lehtësohet zbatimi i Doracakut.

Programi i gjykatave model është një program tre-vjeçar për reformimin e sistemit gjyqësor të Kosovës. Programi i gjykatave model është mbështetur nga Projekti i USAID-it për mbështetjen e drejtësisë, i zbatuar nga Qendra Shtetëror për Gjykatat Shtetëror (NCSC).

Ju lutemi vizitoni këtë lidhje për më shumë fotografi!