usaid logo usaid logo

Gjykatat Model shkėmbejnė pėrvojat nė reformat nė menaxhimin e lėndėve

Me datën 4 mars 2011, z. Nysret Arifi, Administratori i Gjykatës Ekonomike mirëpriti në gjykatës e tij një delegacion nga Gjykata Komunale në Prizren. Kjo vizitë në mes të anëtarëve të Konsorciumit të Gjykatave Model u realizua me qëllim të shkëmbimit të përvojave në mes të gjykatave, përderisa ato zbatojnë procedurat e reja të parapara në Doracakun për menaxhimin e Gjykatave, të miratuar nga Këshilli gjyqësor i Kosovës në prill të vitit të kaluar.

Delegacioni i Gjykatës së Prizrenit, të udhëhequr nga Administratorja e gjykatës znj. Nexhibe Bala, bënë një shëtitje në zyrën qendrore për menaxhimin e lëndëve, njëra nga zyrat qendrore plotësisht funksionale në përputhje me Doracakun për Menaxhimin e Gjykatave.



Z. Nysret Arifi u shpjegoi kolegeve të tij nga Prizreni metodat hap pas hapi që janë përdorur në Gjykatën Ekonomike për kalimin nga sistemi i vjetër në sistemin e ri të menaxhimit të lëndëve dhe procedurat e reja ashtu siç janë kërkuar në Doracak. Në Gjykatën Ekonomike lëndët janë transferuar nga mbështjellësit e vjetër në mbështjellësit e rinj të lëndëve, janë koduar me numra dhe ngjyra, mirëmbajtja e lëndëve është transferuar nga zyrat e gjyqtarëve në zyrën qendrore për menaxhimin e lëndëve, si dhe ka nisur përdorimi i indeks kartelave dhe kartelave dalëse për të përcjellë rrjedhën e lëndëve në gjykatë. Z. Arifi praktikisht u tregoi si është bërë transferimi i lëndëve në bazë të një plan të detajuar, ku gjykata kishte formuar edhe një komision për të bërë transferimin fizik të lëndëve nga zyrat e gjyqtarëve.



I pyetur nëse është dashur shumë punë për këtë transferim të lëndëve, z. Arifi përmendi se kishin hasë në një bashkëpunim të shkëlqyer në mes të gjyqtarëve dhe nëpunësve të administratës gjatë procesit të transferimit. Ai po ashtu theksoi se tash gjyqtarët janë të kënaqur me mënyrën e menaxhimit të lëndëve nga zyra qendrore dhe ata do të harxhojnë më pak kohe në çështje administrative dhe do të kenë me pak pengesa nga palët. 

Duke falënderuar stafin e gjykatës ekonomike për vizitën, Administratorja e Gjykatës Komunale të Prizrenit tha se edhe në Gjykatën komunale në Prizren transferimi i lëndëve në zyrën qendrore është në proces dhe do t’i marrin parasysh përvojat dhe shpjegimet e Gjykatës Ekonomike si udhërrëfyes për aplikimin e procedurave të reja në pajtim me Doracakun.



Programi i Gjykatave Model është mbështetur nga Projekti i USAID-it për Mbështetjen e Drejtësisë, i zbatuar nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC).