Programi pėr Mbėshtetjen e Drejtėsisė nė Kosovė pėrkrahė zhvillimin profesional tė zyrtarėve pėrmbarimorė
Më 10 dhe 12 shkurt, PMDK filloi Programin e trajnimit ndërmjetës për referentët përmbarues të gjykatave të Kosovës. Programi me nëntë module organizohet në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe me Programin holandez për reformimin e përmbarimeve në Ballkan. Programi do të vijojë në baza mujore nga muaji shkurt deri në nëntor të vitit 2010, me përjashtim të muajve korrik dhe gusht.
Isa Shala, referent përmbarues në Gjykatën Komunale në Skenderaj dhe i sapodiplomuar nga shkolla e magjistraturës në IGJK, si dhe Shasivar Hoti, referent përmbarues në Gjykatën Komunale në Lipjan, ofruan modulin e parë për një audiencë prej 65 referentësh përmbarues si dhe profesionistë të tjerë të gjykatës që merren me ekzekutimin e vendimeve civile. Përmes përdorimit të metodologjisë moderne për mësimdhënie për të rritur trajnerët kanë ofruar një diskutim energjik mbi çështjet ligjore dhe administrative që ndërlidhen me fillimin dhe përfundimin e procedurës përmbarimore. Një numër ushtrimesh praktike kanë siguruar platformën për diskutim mbi procedurat e përditshme dhe sfidat praktike në përpjekje për të unifikuar praktikat në mbarë Kosovën dhe për të promovuar zbatimin e duhur të Ligjit mbi procedurën përmbarimore.
Përmes programit të trajnimit, referentët përmbarues do të përfitojnë njohuri më të fuqishme mbi procedurën brenda të cilës ata duhet të punojnë. Trajnimi profesional do t’u ofrojë referentëve përmbarues mjetet e nevojshme që vendimet e nxjerra nga gjykata të bëhen realitet. Në fjalën e hapjes në Klinë dhe Prishtinë në 10 dhe 12 shkurt respektivisht, Violaine Autheman, Koordinatorja e Programit të Gjykatave Model, tha se roli i referentëve përmbarues “është kyç në themelimin e autoritetit të shtetit dhe legjitimitetit të sistemit gjyqësor. Qëllimi kryesor i procedurës përmbarimore është përmbushja e detyrës. ...kjo nënkupton se referentët përmbarues duhet të provojnë çdo mundësi procedurale sipas ligjit deri në pezullim të procedurës.”
Ky program shënon një epokë të re në përmirësimin e kapaciteteve profesionale të gjyqësorit të Kosovës. Duke filluar nga shtatori i vitit 2009, Instituti Gjyqësor i Kosovës vendosi të zgjerojë mandatin e vet trajnues përtej arsimimit fillestar dhe të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duke njohur se stafi profesional i gjykatës i trajnuar siç duhet është thelbësor për funksionimin efektiv të gjykatave, IGJK në programin e saj të trajnimeve për vitin 2010 ka përfshirë edhe disa programe trajnimi të drejtuara për bashkëpunëtorët profesional dhe referentët përmbarues. Ky program është pjesë e kësaj qasjeje të re dhe paraqet programin e parë dhe gjithëpërfshirës trajnues që organizohet për referentët përmbarues në Kosovë.